Shef Renato emocionohet jashtë kuzhinës. Dikush e bëri të përlotet në studio

Të gjithë ata që e kanë njohur Renato Mekollin nga ekrani, e kanë njohur po aq mirë shefin e ashpër dhe të palëkundur. Nëse receta nuk është bërë ashtu siç ai e pret, “mjerë” ai që e ka përgatitur. Pasi la Master Chef-in, Renato u fokusua te biznesi i tij i ri, Umami – restoranti i cili sapo ka mbushur një vjeç dhe po ecën mjaft mirë. Recetat e Renatos dhe stafit të tij, janë aq speciale, saqë shefi nuk i fsheh as nga miqtë virtualë duke i ftuar të gjithë të provojnë shijen e pestë, të paprovuar kurrë më parë – Umami.

Por jashtë kuzhinës, Renato nuk është ai që njohim nga brenda saj. Këtë e ka vërtetuar edhe sot nga studio “Rudina”, kur ka folur për familjen – atë pjesë të cilën ai, si shumë personazhe të njohur, ka dashur ta mbajë për vete gjithmonë, si gjënë më të shtrenjtë.

Prindërit dhe vëllai i Renatos jetojnë prej vitesh në Athinë. Edhe pse janë larg, në rastin më të parë nuk ngurojnë t’ia shprehin dashurinë njëri-tjetrit, qoftë edhe virtualisht. Renato ka një nip dhe një mbesë të vogël, me të cilët është shumë i lidhur dhe mezi pret t’i ketë afër dhe të luajë me ta.

Sot e ka “thyer” privatësinë dhe ka sjellë një foto të të gjithë familjes. Sapo e sheh nga ekrani, e ka të vështirë t’i mbajë emocionet. Duke prezantuar prindërit, vëllain dhe nipin e mbesën, Renato thotë se marrëdhënia me ta ka qenë dhe mbetet më e shtrenjta nga të gjitha, ndaj edhe dëshiron të jetë hermetik për këtë pjesë. Nipi Rafail dhe mbesa Kloi janë ata që ia shtojnë më shumë gëzimin sa herë familja bëhet bashkë.

Pas kësaj, ka edhe një surprizë për Renaton. Familja, prindërit, i kanë përgatitur një video-mesazh, përmes të cilit i shprehin dashurinë, por edhe krenarinë për atë që ai ka arritur në jetë. E ëma dhe i ati e përgëzuan Renaton për gjithçka ai ka arritur dhe i shprehën atij dashurinë e pakufi.

Ndërsa Renato, siç e shihni, me lot në sy: “Pse ma bëtë këtë?” iu drejtua ai Rudinës si për të justifikuar dobësinë e madhe për familjen.