Top 5 momentet më të paharrueshme të sportistëve shqiptarë gjatë vitit 2016 (VIDEO) – Origjinale

Top 5 momentet më të paharrueshme të sportistëve shqiptarë gjatë vitit 2016 (VIDEO)

Viti 2016 për shqiptarët padyshim se ishte një vit i paharrueshëm dhe historik. Përveç pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA, 2016-ta ishte një vit përplot momente nga më të jashtëzakonshmet.

Shqipëria mori pjesë në turneun e parë të madh, kurse Kosova zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare të vlefshme për kualifikim në një garë të madhe, pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Nga goli spektakolar i Xherdan Shaqirit në EURO 2016 e deri te triumfi historik i Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike të Rios, ‘Gazeta Blic’ sjellë për ju top 5 momentet më paharrueshme të sportistëve shqiptarë gjatë vitit.

5. Supergoli i Xherdan Shaqirit (Zvicër – Poloni, EURO 2016)

Supergoli i Xherdan Shaqirit i shënuar në ‘EURO 2016’ sigurisht se është një nga golat më spektakolar të vitit. Shaqiri realizoi një gol të jashtëzakonshëm në mënyrë akrobatike, në ndeshjen çerekfinale në mes të Zvicrës dhe Polonisë në EURO 2016. Goli i kosovarit u zgjodh si një nga top 10 golat më të bukur nga faqja zyrtare e kampionatit evropian.

4. Përballja e parë e vëllezërve Xhaka (Shqipëri – Zvicër, EURO 2016)

Viti 2016 ishte një vit unik për vëllezërit Granit e Taulant Xhaka. Dy mesfushorët, të cilët në të kaluarën ishin shokë skuadre te Baseli, në 2016-tën u ndeshën tre herë si kundërshtarë, por përballja në takimin Shqipëri – Zvicër në ‘EURO 2016’, ishte përballja e parë mes tyre, dhe sigurisht një ballafaqim të cilin vëllezërit do ta mbajnë mend gjatë. Ata u përballën sërish gjatë vitit, në dy raste ku Arsenali dhe Baseli u ndeshën dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

3. Finlandë 1-1 Kosovë: Përfaqësuesja e Kosovës zhvillon ndeshjen e parë zyrtare të vlefshme për kualifikim në një turne të madh në futboll (Botërori ‘Rusia 2018), pas pranimit në UEFA e FIFA.

Kosova zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare të vlefshme për një turne të madh, pas pranimit në FIFA dhe UEFA. Përfaqësuesja e Kosovës mori një barazim historik në Finlandë, në ndeshjen e vlefshme të grupit I për kualifikime në Botërorin ‘Rusia 2018’, ku shënuesi i golit historik për Kosovën ishte Valon Berisha.

2. Fitorja e parë e Shqipërisë në kampionatin evropian dhe goli historik i Armando Sadikut (Rumani – Shqipëri, EURO 2016)

2016-ta ishte një vit historik për Shqipërinë. Kombëtarja e Shqipërisë, e udhëhequr nga Gianni De Biasi, ishte pjesëmarrëse për herë të parë në një turne të madh në futboll, si një nga 24 kombëtaret pjesëmarrëse në kampionatin evropian ‘EURO 2016’. Kuqezinjtë nuk e filluan me këmbë të mbarë aventurën në Evropian, duke u mposhtur në ndeshjen parë nga Zvicra e shqiptarëve. Shqipëria më pas u mposht nga nikoqiri Franca në ndeshjen e dytë, por arriti fitoren historike në përballjen e tretë në grup ndaj Rumanisë, ku Armando Sadiku shënoi golin e parë në një turne të madh në historinë e kombëtares. Shqipëria në fund nuk arriti të kualifikohej për në fazën tjetër, duke përfunduar e treta në grupin A.

1. Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë Olimpike në ‘Rio 2016’

Suksesi më historik i sportistëve shqiptarë gjatë vitit ishte padyshim ai i Majlinda Kelmendit. Xhudistja kosovare hyri në histori dhe i sjelli Kosovës medaljen e parë olimpike, duke u stolisur me medalje të artë në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’. Në Olimpiadën e mbajtur në Rio de Janeiro të Brazilit, Majlinda bëri që të harrohet dështimi i saj ‘Londër 2016’, ku mposhti italianen Odette Guiffrida. /Gazeta Blic/

error: